Paraditen e sotme, presidenti Ilir Meta ka publikuar në “Facebook” pamjet filmike të 29 viteve më parë, kur rreth 20 mijë shqiptarë u nisën nga porti i Durrësit drejt Italisë me shpresë për të gjetur lirinë e munguar nga regjimi komunist 45-vjeçar.

Krahas videos, Meta shkruan se dhe sot, pas 29 vitesh, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur. Ndër të tjera, presidenti shkruan se është koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre.

Mesazhi i Metës:

Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë.

Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.

Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur.

Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa!

Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre!

Koha për ta ndërtuar Europën ketu!

Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues!