Presidenti Ilir Meta, konferencën për mediat e ka mbyllur me humor, pasi ka shkaktuar të qeshura tek gazetarët që kishte përballë.

I pyetur nëse ishte xheloz për Ramën dhe Bashën që janë në sinkron se negociatat do të hapen ne 18 tetor, Meta tha se kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

Ai tha se dhe Rama e di vetë që ai kurrë nuk bëhet xheloz për të. Më tej, kreu i shtetit shtoi se ishte i gatshëm që t’i jepte medalje Kryeminsitrit nëse do të hapeshin negociatat.

“Do bëjmë një ceremoni këtu, do i jap dekoratë po u hapën negociata, do i jap Urdhrin e Skënderbeut, në fakt do i jap dy një si Kryeministër dhe si ministër i Jashtëm, se i meriton të dyja. Ai po deshi le të vijë në ceremoni”.

Më tej u shpreh se Bashës dhe Kryemadhit nuk u jepte dekorata sepse kanë braktisur institucionet.

“Bashës nuk jap dekoratë se ka braktisur institucionet, as Kryemadhit nuk i jap se i ka dhënë besën Bashës”, ishin këto fjalët e kreut të shtetit që sollën të qeshura në sallë.