Presidenti Ilir Meta përforcon sulmet ndaj ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchard, teksa pyetet se për se zgjodhi ta refuzojë në takimin në Presidencë. Meta tha se ka ardhur koha “për t’i treguar disa kufij” ambasadorëve të huaj në vendin tonë, që sipas tij kanë abuzuar me respektin e shqiptarëve ndaj të huajve, janë bërë palë me qeverinë si dhe kanë kthyer në sport komentimin e veprimeve të Presidentit të Republikës.

Në emisionin "Open", Meta madje i quajti këta ambasadorë të huaj, që sipas tij janë rreth 10%, “lecka” të kryeministrit Edi Rama.

“Jemi shumë vonë si shtet për t’i treguar disa kufij disa diplomatëve të huaj të cilët kanë abuzuar shumë me atë respekt të jashtëzakonshëm që ne kemi ndaj të huajve, edhe pse mund të ishte bërë më parë, po bëhet një sport i disa diplomatëve të huaj për të vënë në dyshim veprimet e Presidencës, që është një simbol i sovranitetit të shtetit. Përveç edhe disa sjelljeve të tjera. E kanë tepruar prej kohësh, jo të gjithë, mendoj 90% e trupit diplomatik janë mjaft të rreptë. Nuk është kurrsesi në të drejtën e një ambasadori të vë në diskutim dekretin e presidentit për zgjedhjet. OSBE-ODIHR ka qenë shumë i qartë që dekreti mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Ky është një qëndrim ndaj personit. Unë nisem nga ajo që këta po e teprojnë shumë, këta janë disa diplomatë që janë bërë si leckat e Edi Ramës. Ai gjithmonë nxjerr këta dhe përdor këta për të kapur të gjitha institucionet dhe shtetin e së drejtës, dhe rasti i fundit është një rast flagrant,” – u shpreh Meta.