Presidenti Meta është solidarizuar me protestën e djeshme kundër abuzimit dhe dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Meta shkruan në Facebook se do t’i mbështesë e inkurajojë gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune.

Ai shton i bën thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxit institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse.

“Kur çdo formë dhune tolerohet, justifikohet dhe nuk ndëshkohet nga shteti, atëherë dhuna kthehet në sistem! Vlerësoj dhe e përshëndes reagimin e djeshëm qytetar në protestën marshim të organizuar dje në Tiranë, dhe do t’i mbështes e inkurajoj gjithmonë të gjitha nismat kundër çdo forme dhune dhe abuzivizmi.

Një shoqëri demokratike dhe sociale, nuk mund të ketë evolucion pa inkurajuar përpjekjet për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, veçanërisht pa përmbushur detyrimet për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

I bëj thirrje drejtësisë të mos vonojë në nxjerrjen e përgjegjësive për rastin e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru, dhe nxis institucionet arsimore të jenë më të vëmendshme në parandalimin dhe denoncimin e këtyre rasteve tronditëse. Një shoqëri si e jona, që familjen dhe vlerat e saj i vlerëson të shenjta, duhet të ngrihet e gjitha në këmbë për mbrojtjen e tyre!”