Një ditë para tubit të 2 marsit, Presidenti Ilir Meta ka publikuar në Facebook një video të viteve ’90, kur ai dhe studentët e tjerë u ngritën për t’u përballur me kupolën e diktaturë.

Kreu i Shtetit shkruan se populli do të mbrohet nga instalimi i një regjimi njëpartiak vetëm kur të garantohet paprekshmëria e Kushtetutës dhe të ndëshkohen personat që e kanë dhunuar atë, e që ai i quan puçistë.

POSTIMI I PLOTË

Kurrë nuk e mendoja se pas 30 viteve do të vinte kjo ditë, që të ftoja më 2 mars të gjithë qytetarët e Shqipërisë, për të mbrojtur fitoren më të madhe të popullit tonë, pluralizmin politik, lirinë dhe demokracinë.

Vetëm paprekshmëria e Kushtetutës dhe ndëshkimi i merituar i puçistëve që e kanë dhunuar atë, do ta mbrojë popullin tonë nga instalimi i një regjimi tiranik njëpartiak dhe kleptokratik.

Po ndaj me ju disa emocione të miat kur një nga ish-drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Studentore, Arben Imami më thërriste mua dhe disa studentë të rinj për të shkuar në përballjen finale me kupolën e diktaturës, që u detyrua të pranonte kapitullimin e regjimit më të pashembullt shtypës dhe izolues në kontinent.

Le ta dëgjojë nesër e gjithë bota demokratike thirrjen e popullit shqiptar: E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA! 

#PërKushtetutën #PërRepublikën #PërShqipërinë #PërKombin #BashkohuEdheTi