Metalla: Nuk përjashtoj një kandidaturë politike nga mazhoranca

11/06/2012 - 00:00

Refuzimin e kandidaturës së Zaganjorit, lideri i PS-së e bëri me qëllimin e vetëm për të bllokuar proçesin dhe nëpërmjet tij marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tregoi se jo vlerat, aftësitë, integriteti dhe konsensusi, por pazaret pa princip dhe një proçes bllokues për statusin e Shqipërisë si vend kandidat janë interesat e tij të vërteta.

Kur është konsumuar edhe raundi i tretë i garës për zgjedhjen e kreut të shtetit, deputeti i PD-së, Osman Metalla, nuk përjashton mundësinë e një kandidati politik nga rradhët e mazhorancës, pas dorëheqjes së Zaganjorit nga gara për postin e kreut të shtetit. Sipas Metallës, në kushtet kur PS-ja po imponon një politikë bllokuese, gjë që e shprehu dhe me refuzimin e kandidaturës së Zaganjorit, atëhere lind e drejta e një kandidature politike nga mazhoranca, të cilës realisht nuk i mungojnë figurat me integritet politik. Metalla u ndal edhe në komentet rreth formacionit më të ri politik, Fryma e re Demokratike, që po përgatitet të hapë degën në qytetin tonë. Sipas Metallës nuk janë aspak të vërtetë zërat se PD-së do t’i largohen anëtarët, përkundrazi realiteti ofron krejtësisht të kundërtën. Në vëmendjen e Metallës ka qenë dhe sezoni turistik, që duket se do të mbartë disa problematika të vjetra, për shkak të mungesës së vullnetit të pushtetit lokal për t’i zgjidhur ato.

Z. Metalla, a mendoni se zgjedhja e presidentit pas dorëheqjes së Zaganjorit është futur në një udhëkryq?

Unë mendoj se nëse do të veprojmë sipas frymës së kushtetutës, dhe ashtu do të veprojmë, nuk ka pse të ketë udhëkryq. Mazhoranca tregoi se ka të gjithë vullnetin e duhur  për të zgjedhur një kandidat konsensual, por opozita po vazhdon të tregojë se nuk e ka këtë vullnet, madje po pengon në mënyrë të qëllimshme proçesin.

Me deklaratën e bërë pas takimit të Ramës me aleatët faktohet qartë dhe përfundimisht se refuzimi i kandidaturës së Zaganjorit, lideri i PS-së e bëri me qëllimin e vetëm për të bllokuar proçesin dhe nëpërmjet tij marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tregoi se jo vlerat, aftësitë, integriteti dhe konsensusi, por pazaret pa princip dhe një proçes bllokues për statusin e Shqipërisë si vend kandidat janë interesat e tij të vërteta. Partia Demokratike si forca kryesore e mazhorancës është futur në proçesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, jo për të ndjekur rrugën e shkurtër, pasi këtë rrugë e ka dhe e lejon marrëveshja e arritur me aleatët tanë që në vitin 2009 si dhe ndryshimet kushtetuese që janë vendosur në vitin 2008 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Mazhoranca ka hyrë në këtë proçes për t´i dhënë vendit një President sa më gjithëpërfshirës dhe sa më konsensual, duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë.

Por ndërkohë u kemi bërë të qartë përfaqësuesve të Partisë Socialiste që në rast se edhe ata do të kenë të njëjtin qëllim si ne, është plotësisht e mundur që ne të arrijmë në një produkt dinjitoz. Pra, një President sa më konsensual. Por në rast se ata kanë qëllime të tjera për të rrëzuar qeverinë dhe gjëra të kësaj natyre, siç i ka paralajmëruar Rama, sigurisht që ky është një mision tërësisht i dështuar. Opozita duhet të heqë dorë nga politikat bllokuese  dhe të bëhet pjesë e këtij proçesi mjaft të rëndësishëm për vendin. Mazhoranca plotësoi kushtin për të propozuar një emër jashtë PD-së. Ne u angazhuam dhe bëmë të gjitha lëvizjet tona. Tashmë topi është në fushën e tyre. Le të bëjnë lëvizje serioze dhe të shohim. Mazhoranca do të shqyrtonte me seriozitet çdo kandidaturë të opozitës. Nëse mazhoranca deri tani ka ndjekur rrugën e negociatave, opozita ka zgjedhur atë të ultimatumeve anakronikë dhe të një stili jo europian.

Ç´mund të ndodhë nëse PS-ja propozon Fatos Nanon?

Në qoftë se PS-ja propozon Nanon për President të Republikës, një variant mund të jetë dhe ai që mazhoranca mund të propozojë një figurë politike të saj, për të garuar me ish-kryetarin e PS-së. Nuk ka pse të jetë një kandidat politik i opozitës më i mirë se një kandidat politik i mazhorancës. Është e drejta e mazhorancës që të paraqesë një kandidaturë politike në raundin e 4-të ose të 5-të të votimit për president, kur kushtetuta nuk kërkon domosdoshmërisht konsensusin e opozitës për zgjedhjen e tij.

Një forcë e re politike, Fryma e re Demokratike, do të hapë këto ditë degën e Durrësit. A mendoni se kjo forcë politike do të rrudhë rradhët e PD-së?

Në mënyrë absolute jo. PD-ja është një forcë e konsoliduar dhe ka treguar dhe në raste të tjera që jo vetëm nuk është rrudhur, por është forcuar. Largimet nga PD-ja nuk janë bërë për çështje parimore, por për çështje interesash. Duke u nisur nga kjo logjikë mendoj se elektorati është i zgjuar dhe di të dallojë forcat politike të qëndrueshme, që kanë treguar se dinë ta çojnë vendin drejt vizionit europian dhe jo drejt lëvizjeve që devijojnë për arsye interesash apo pakënaqësish individuale. Në këtë kontekst them se PD-ja është një forcë e konsoliduar, që ka një elektorat të qëndrushëm dhe që me siguri do të dijë t´i shtojë më shumë rradhët e saj.

Ka zëra që thonë se kjo lëvizje mund të ketë mbështetje në qytete të mëdha si Durrësi, Vlora etj?

Të thënat nga realiteti janë shumë larg. Kanë thënë dhe forca të tjera që janë larguar nga PD-ja të njëjtën gjë, por më pas janë kthyer në parti pa elektorat. Shqiptarët e dinë mirë se vetëm një forcë e djathtë politike  si PD-ja mund të mbrojë interesat e elektoratit të djathtë dhe të gjithë shqiptarëve. Ju kujtoj se ishte qeverisja e kësaj force politike që e çoi Shqipërinë në NATO. Ishte kjo forcë politike që po e zhvillon vendin dhe në kushtet e një krize globale. Për më tepër mbështetja e PD-së në qytetet e mëdha është në rritje.

Si e shpjegoni faktin që në Durrës humbët kryetarin e Bashkisë?

Kjo pyetje meriton një analizë të veçantë, por ju kujtoj se Këshilli Bashkiak dominohet nga mazhoranca.

A e përjashtoni rrezikun që Fryma e Re Demokratike të kthehet në një “LSI” brenda të djathtës?

E theksova dhe më parë që nuk ka asnjë shans të ndodhë kjo. PD-ja ka kohë që ka treguar se është forca më e konsoliduar në politikën shqiptare. Tendenca është që kjo forcë të rritet më tej dhe këtë e tregojnë anëtarësimet e reja. Populli është i zgjuar dhe nuk gënjehet nga çdo lloj demagogjie.

Z. Metalla a e dini që Durrësi çeli sezonin turistik?

Sigurisht që e di. Uroj që të jetë një sezon i suksesshëm, pasi qeveria ka investuar shumë në fushën e turizmit, si përsa i përket infrastrukturës ashtu dhe elementëve të tjerë që kanë të bëjnë me zhvillimin e turizmit. Në kontrast me këtë, mendoj se bashkia e Durrësit nuk ka bërë sa duhet.

Çfarë mund të bënte më tepër bashkia kur buxheti u miratua pak ditë më parë?

Është pikërisht përgjegjësi e bashkisë së Durrësit, miratimi me vonesë i buxhetit. Një nga qytetet kryesore në vend e miratoi i fundit buxhetin për shkak të paaftësisë apo problemeve të tjera, për të cilat fatura e përgjegjësisë i bie pikërisht pushtetit lokal. Ishte kjo bashki që në mënyrë të pajustifikuar nuk realizoi as planin e të ardhurave të vitit të kaluar. Gjithsesi, miratimi me vonesë i buxhetit  nuk është justifikim për të mos zgjidhur disa nga problemet më imediate që ka infrastruktura turistike si p.sh. funksionimi i banjove publike, dusheve, krijimit të hapësirave të duhura për plazhe publike, ngritja e pikave të ndihmës së shpejtë etj. Nëse shikon dhe sot nuk ka hapësira të mjaftueshme për plazhe publike. Uroj të mos përsëritet skenari i sezonit të kaluar turistik.

Si e shpjegoni faktin që dhe qeveria nuk e ka mbajtur premtimin për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha?

Qeveria e ka mbajtur premtimin, pasi po punohet intensivisht si në zonën e bregdetit të Durrësit ashtu dhe në atë të Golemit, në Kavajë, për infrastrukturën e kanalizimeve. Një pjesë ka përfunduar dhe një pjesë është në proçes dhe nuk ka përfunduar para sezonit. Mos të harrojmë se janë investime madhore që kërkojnë kohën e duhur. E rëndësishme është që po punohet intensivisht dhe maksimumi në sezonin e ardhshëm turistik çdo gjë do të jetë gati. Shikoni se çfarë përmirësimi ka në furnizimin me ujë të pijshëm. Është rritur ndjeshëm orari i furnizimit për qytetin dhe veçanërisht për zonën turistike. Shikoni infrastrukturën rrugore në plazhet e reja të Durrësit për të kuptuar rëndësinë e madhe që qeveria shqiptare i ka kushtuar turizmit.

 

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një lidhje telefonike në TVSH foli për dënimin 3.4 vjet me shërbim prove nga Gjykata e Shkallës

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka është shprehur se Saimir Tahiri ka përgjuar politikanët  dhe një pjesë të Ambasadave të huaja në Ti

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili përmes një postimi në ‘Facebook’ ka sulmuar qeverinë në lidhje me drejtoreshën e Bibliotekës së Fierit

Kryetarja e Grupit të Demokratëve në Parlament, Rudina Hajdari e ka quajtur zhgënjim vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir T

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ketë nesër një komunikim për mediat dhe qytetarët.

Nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se vendimi i mbrëmjes së kaluar që shpëtoi ish-ministri

Partia Socialiste ka reaguar për herë të parë mbi vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Ta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren e Republikës së Kroacisë, S

Përmes një postimi në Facebook, ish-presidenti Bujar Nishani ka komentuar vendimin e dhënë mbrëmjen e kaluar nga gjykata e Krimeve të Rën