19/09/2019 - 09:14
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar një vizitë në Vatikan.
Vizita u mbajt në kuadër të muajit shtator, i cili shënon 28-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, 5-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, si dhe 3-vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
“Këto ngjarje nuk kanë thjesht një vlerë simbolike: ato paraqesin një moment të rëndësishëm për të kujtuar trashëgiminë e veçantë dhe shembullin e pakrahasueshëm botërisht të shqiptarëve për bashkëjetesën fetare, harmoninë religjioze dhe dialogun e hapur e gjithëpërfshirës në përgjithësi”, u shpreh Cakaj.
Gjithashtu, sikurse ka nënvizuar Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë, Cakaj ritheksoi se shqiptarët janë pjesë e patjetërsueshme e familjes kulturore e historike evropiane dhe Shqipëria nuk do të kursejë asnjëherë asnjë përpjekjet që përkatësinë e saj historike e kulturore evropiane ta përkthejë në rrugëtimin e saj politik e institucional për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sa i përket angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë në lobimin për njohjen e Kosovës, Cakaj theksoi : “Shqipëria angazhohet aktivisht për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë!”
/portali DurresLajm/