Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, do të vizitojë sot Tiranën. Në agjendën e takimeve parashikohen takime me ministrin e jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta, takim me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, si dhe me kryetarin e PPDNJ Vangjel Dule.

Mësohet se më pas do të ketë takime me bizneset greke në Shqipëri, për ta mbyllur vizitën me një takim me Kryepeshkopin Anastas Janullatos.

Një vizitë kjo, prej kohësh e paralajmëruar, por e mbetur ende e pa zhvilluar, së pari për shkak të agjendës tepër të ngjeshur të zotit Dendias, për shkak të tensionit të lartë në Egjeun lindor mes Athinës dhe Ankarasë lidhur me kërkimet për naftë dhe gaz, tension që me gjasa mund të çojë të dy vendet në një përballje ushtarake, por edhe për shkak të rezultateve që kjo vizitë pritet të sjellë, pikërisht 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

Por ç’pritet të sjellë vizita e Dendias në Shqipëri?

Në plan të parë ajo vlerësohet si pozitive, pasi mbas dy vjet ngrirje, më në fund të dy vendet i janë kthyer tryezës së  bisedimeve.

Në Athinë dyshja Mitsotakis-Dendias,vlerësohet si pragmatiste, dhe në këtë kuadër, Athina nëpërmjet kanaleve të saj komunikuese, ka lënë të kuptojë se ky është rasti i artë për një zgjidhje definitive të asaj që quhet shporta e problemeve mes dy vendeve.

Tashmë në të dy anët e kufirit e kanë pranuar se heqja e ligjit të luftës mes dy vendeve, mbetet e vetmja rrugë, dhe po ashtu edhe marrëveshja për delimitimin e ujërave mes dy vendeve.