Në një intervistë për radiostacionin Real Fm dhe gazetarin Nikos Haxhinikolau ministri grek i Jashtëm (plotësues) Jorgos Katrugalos, ka folur dhe për ecurinë e marrëdhënieve bilaterale me Shqipërinë.

Gjatë bisedës, gazetari është referuar në dialogun e mëparshëm mes dy dikastereve si dhe në deklaratat nxitëse në vijim të palës shqiptare, duke pyetur nëse këto episode kanë bllokuar procedurat dhe si konkretisht po ecin negociatat për Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon.

Ministri grek është përgjigjur se vonesat vijnë për shkak të trazirave në Shqipëri por dhe për mungesën e përgjigjeve për minoritetin grek.

“Është e drejtë vërejtja për sa i përket vonesës në negociata, ka arsye, ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek: konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit. Janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin. Megjithatë, theksoj sërish se vullneti ynë është ecuria dhe përmirësimi i çështjeve bilaterale, e përmes këtij përmirësimi të lirohet dhe rruga europiane për Shqipërinë”.

Në lidhje me deklaratat e mëparshme të qeverisë greke, përfshi dhe të ish-ministrit Nikos Koxhias, për vijën bregdetare dhe zonën ekskluzive ekonomike, ministri Jorgos Katrugalos ka deklaruar se “zgjerimi i vijës bregdetare dhe përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Cipras. Madje, zgjerimi i vijës bregdetare përfshihet në projektin e përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin, ky i fundit nëse realizohen negociatat e duhura. Bëhet fjalë për një vendim politik që sipas kryeministrit do të mbyllet me miratimin e legjislaturës përkatëse.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, gjithsesi, nuk ka përcaktuar afatin kohor të negociatave për paketën e çështjeve me Shqipërinë, që sipas tij janë në varësi të plotë të vendimeve për shelfin detar. Por ka theksuar se përbëjnë një prioritet për Greqinë dhe jo thjesht deklarata impresionuese kalimtare.