Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vlerëson operacionin policor të ditëve të fundit të shtrirë në 12 qytete, që deri më tani ka çuar në arrestimin e 27 personave dhe goditjen e drejtuesve e anëtarëve të 4 grupeve kriminale.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhafaj shprehet: 

“Forca e Ligjit në një tjetër SUPER OPERACION policor në goditjen me ashpërsi ndaj grupeve kriminale të skeduara nga Task Forca Speciale. Goditje ndëshkuese ndaj grupeve në fushën e prodhimit dhe trafikimit të drogës. Forca e Ligjit mbi gjithçka e mbi cilindo”.

Ministri sqaron se në “3 ditë një operacion i shtrirë në 12 qytete, me 100 objekte të kontrolluara në territor, me 27 të arrestuar e 6 në kërkim, drejtues dhe anëtarë të 4 grupeve kriminale, të skeduara nga TFS, përfshirë në prodhimin e trafikun e drogës. Fryt i hetimit, vëzhgimeve e gjurmimeve disa mujore në territor”.

Për Xhafajn ky ishte një “aksion shembullor i forcave policore në operacion e veçanërisht Njësisë Operacionale, FNSH Shkodër e Fier & RENEA e DVP. Disiplinë e profesionalizëm i lartë & mbi të gjitha konfidencialitet total! Disa ditë aksion&ASNJË rrjedhje informacioni për rreth 100 urdhra kontrolli të ekzekutuar! Faleminderit!”

“Vlerësim i merituar për drejtuesit e Policisë në organizimin e operacionit. Vlerësim i veçantë Drejtuesve të Prok. së Përgjithshme e Krimeve të Rënda & prokurorëve të çështjes për drejtimin & bashkëpunimin”. 

Xhafaj shtoi se më shumë detaje mbi operacionin do të jepen sot në orën 10:30, në një konferencë të përbashkët Prokurori-Polici.

“Forca e Ligjit do të vazhdojë. Ky s’është show, por betejë reale me krimin e organizuar. Kemi ngritur institucione që po forcohen çdo ditë. Bashkë me agjencitë ligjzbatuese & partnerët ndërkombëtarë. Forca e Ligjit s’ndalet nga askush. Të tjera goditje e rezultate së shpejti”, e mbyll reagimin e tij ministri.