Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi nga Vlora se ky qark ka nevojë për kujdes të shtuar sa i takon çështjes së sigurisë. Gjatë vizitës në port ministri tha se numri i punonjësve të policisë është shtuar në këtë qytet, për shkak edhe të sezonit turistik. Xhafaj u ndal edhe tek çështja e drogës teksa ka ironizuar edhe opozitën për akuzat që ngrejnë në drejtim të tij.

"Ka disa tregues shumë më pozitiv se vitin e kaluar dhe me ndryshimet që kemi bërë kanë dhënë efekt pozitiv nga pikëpamja e strukturave. Flas për policinë kriminale. Por ka vend për një kujdes të shtuar që është një nga çështjet që kemi diskutuar. Kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë në qytetin e Vlorës dhe për kufirin detar. Ndaj kemi një rritje të numrit të policisë. Pavarësisht treguesve pozitivë, ka nevojë për kujdes të shtuar, për frenimin e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Pavarësisht propagandës negative, rezultatet janë pozitive. Nga pikëpamja e kultivimit të kanabisit, Vlora ka rezultate të pakrahasueshme nga viti i kaluar. Ky do të jetë viti i gati-gati kultivimit 0 të kanabisit në territorin e Shqipërisë. Çdo opozitë nuk ka për detyrë të lavdërojë qeverinë, por duhet të jetë e përgjegjshme për gjërat që thotë. Strategjitë “Shpif, shpif se diçka do të mbetet”, është gjëja më e keqe që i bëhet vendit dhe qytetarëve."