Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka organizuar sot paradite një dëgjesë publike me grupet e interesit që lidhen me tregtinë e autoveturave, kryesisht atyre të hershme dhe me interes historik. Këto grupe interesi kishin shprehur më parë shqetësimet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam” lidhur me disa kufizime ligjore të vendosura, që sipas tyre iu cenojnë aktivitetin tregtar.

Ministrja Balluku e shoqëruar nga drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe dhe drejtori i Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit, Thimjo Plaku kanë dëgjuar pretendimet e tregtarëve të automjeteve, të cilët kërkojnë zgjerimin e hapësirave kohore për importimin e makinave të vjetra dhe me interes historik, si dhe zgjatjen e afatit për kryerjen e procedurave të nevojshme për regjistrimin e tyre.

Duke marrë fjalën në takim, ministrja Balluku ka theksuar se Shqipëria është angazhuar tashmë në një proces mjaft të rëndësishëm siç është ai i integrimit europian. Në kuadër të këtij procesi, qeveria duhet të përmbushë disa kritere, të cilat lidhen me ruajtjen e mjedisit dhe rregullimin e procedurave ligjore të tregtimit të mjeteve motorike të vjetra.

Megjithatë, ministrja ka premtuar se MIE do të shqyrtojë me kujdes gjithë problematikën e krijuar si dhe kërkesat e paraqitura nga grupet e interesit, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme si për tregtarët e automjeteve ashtu edhe për mos ndotjen e mjedisit.

“Kjo është një dëgjesë për të përmirësuar një fushë në të cilën disi ju janë prekur interesat tuaja dhe ne do gjejmë një rrugë të mesme, sa më të mirë për të qenë konform kërkesave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me mjedisin, por nga ana tjetër pa ju prishur edhe juve bizneset në të cilat keni investuar”, është shprehur Balluku.