Në vijim të vizitës në Tiranës, koordinatori kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, z.Nathan A. Sales, zhvilloi një takim me ministren e Drejtësisë Matilda Gjoni.

Ministrja Gjonaj e ka siguruar zyrtarin Sales për vullnetin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për të qenë pjesë e aleancës progresiste kundër çdo forme të ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit.

Ajo ka folur për masat e marra veçanërisht në kuadër të shkëmbimit të ndërsjelltë të informacionit me partnerët strategjikë, duke rritur kështu efektivitetin e masave për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit.

Ministrja Gjonaj është ndalur gjerësisht në reformën e thellë që është ndërmarrë në sistemin e penitenciar, duke e njohur zyrtarin e lartë amerikan kryesisht me masat specifike për mbajtjen nën mbikëqyrje të personave të dënuar për vepra penale që lidhen me ekstremizmin dhe terrorizmin.

Z.Sales ka vlerësuar Shqipërinë si një vend lider në rajon përsa i përket kontributit të dhënë në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe ka theksuar se Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.