Gjatë një forumi ku është diskutuar për arsimin gjithëpërfshirës, Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka thënë se së shpejti në shkollat e vendit do të futet edhe gjuha rome.

Nikolla nuk ka dhënë më tej shpjegime lidhur me formën sesi gjuha rome do të mësohet në shkolla, por ka thënë se kjo nismë do të përfshijë edhe universitetet.

"Mësuesit ndihmës këtë vit bëhen 700. Jam e mbushur me më shumë arsye që këto mësues të mos jetë prania fizike e tyre por të realizojnë pritshmëritë e prindërve. E kemi të nevojshme të bëjmë trajnime dhe puna e mësuesve të matet me progresin e fëmijëve që bëjnë në klasa. Kemi vullnet dhe dëshirë për të listuar problematikat që ne kemi. Çdo ditë të punës tonë ta keni me ne në zyrat tona për të përmirësuar shërbimet ndaj kësaj kategorie. Arsimi gjithëpërfshirës do të ketë fokus deri në hierarkinë më të lartë në Ministrinë e Arsimit. Së shpejti do mundësojmë gjuhën rome në sistemin tonë arsimor. Puna që kemi bërë ka të bëjë edhe me universitetet. Mësuesit ndihmës jo të gjithë janë të mirëtrajnuar, ndaj kemi nxitur universitetet të kenë programe për nevojat e kohës dhe me modulet më të mira. Në vitet në vijim do të kemi mësuesë të specializuar të pedagogjisë speciale. Po ashtu rrjetet profesionale po trajnohen me orë model që ne të mundësojmë një shërbim cilësor".