Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se trendi i lëkundjeve sizmike vjen duke u ulur, por kostot në jetë njerëzore dhe dëme materiale janë shumë të mëdha.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Xhaçka u shpreh se banesat që janë dëmtuar nga lëkundjet e vazhdueshme sizmike, po verifikohen nga ekspertë shqiptarë e të huaj.

Ndërsa ka shtuar se mbi 4 mijë banorë e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar.

“Fuqia e goditjeve ka një trend të dukshëm zbritës. Kostot në njerëz aq të rënda, sa do të jenë të paharrueshme gjithë jetën. Kosto të jashtëzakonshme edhe në shtëpi e banesa. Nëse është dëmtuar banesa, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni për në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezhë, Shëngjin, Berat. Situata në banesat me strukturë të dëmtuar është po aq e rrezikshme sa ditën e parë. Ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptarë e të huaj. Pavarësisht përmasave të tragjedisë, jemi në gjendje të ofrojmë çdo shërbim. Ekipet tona janë të pranishme në të gjithë zonat e prekura. Sipas vlerësimeve paraprake mbi 4 mijë banorë e kanë të pamundur të rikthehen në banesa. Askush nuk do të mbetet në rrugë. Është ngritur kuzhina fushore në Thumanë e po montohet një tjetër kuzhinë në Bubq për përgatitjen e 10 mijë racioneve gjatë 7 ditëve”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes.