Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka zbuluar se homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis ka qenë i gatshëm për të ofruar vaksinën e COVID-19 te Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në fund të këtij viti, Greqia nëpërmjet BE do të marrë vaksinën ndaj COVID-19 e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, por prodhuar ng gjigandi farmaceutik AstraZeneca. Por tashmë BE ka dhënë mundësinë që vendet partnere, jo në BE mund ta përfitojnë në rast se u jepet si donacion nga vendet e BE, u shitet prej tyre, ose ua jep vetë OBSH.

Në këtë rast, Zaev thotë se Greqia do ua japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, teksa kujtojmë se kjo e fundit e ka siguruar edhe nga Polonia një garanci.

“Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u tregua i gatshëm që Greqi, si vend anëtar i BE të ofrojë vaksinën kundër covid-19 Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, pasi vaksina do arrijë fillimisht në vendet anëtare e më pas tek kandidatët për integrim. Për mua, kjo deklaratë është një provë e miqësisë së mirë,” – tha Zaev.