• Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gruaja e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pritet të jetë emri i përbashkët i PS-LSI për zgjedhjet e reja në bashkinë e Tiranës.

16 dhjetor 2014 –  Planet përgatitore të përkrahësve të saj kanë nisur dhe në rrjete sociale kanë nisur të hapen faqe që mbështesin Kryemadhin si kandidate të së majtës për kreun e ri të bashkisë së Tiranës. Burime jozyrtare nga LSI dhe PS bëjnë të ditur se janë në fazat e fundit të diskutimeve, emrat e kandidatëve të përbashkët që këto dy parti do të kenë për zgjedhjet e reja për bashkitë dhe komunat e vendit. Një pjesë e bashkive që sot kontrollohen nga e majta do të vazhdojnë të kenë për kandidatë kryetarët aktualë.

Kurse në Durrës dhe Vlorë, si dhe Lezhë, priten emra të rinj. Opsionet kryesore të rrahura për tre qytetet e mëdha, Tirana, Vlora dhe Durrësi, janë që njëra prej tyre, ajo kryesore, pra Tirana të merret nga LSI dhe dy të tjerat nga PS, ose anasjelltas. Në rastin që emri për kreun e bashkisë Tiranë do të vinte nga PS, emri më i lakuar ishte Saimir Tahiri, ministri aktual i Punëve të Brendshme dhe ministri tjetër, Erion Veliaj, ish kreu i Lëvizjes Mjaft. Në këtë pikë më dominante duket marrja e Tiranës nën kontrollin e LSI dhe konkretisht të gruas së kryeparlamentarit Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i Parlamentit. Sakaq, Pandeli Majko, deputet i PS dhe ish kryeministër, nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë ai, kandidati për kryetar bashkie të metropolit shqiptar. Duket se emri i tij nuk ka gjetur mbështetje decizive tek kryeministri Rama dhe kjo mund të shpjegojë edhe oponencën e herëpashershme që Majko ka bërë ndaj qeverisë dhe kryeministrit në Parlament.

Ndërkohë, zonja Kryemadhi është treguar shumë e kujdesshme në daljet e saj publike të kohëve të fundit. Ajo ka qenë aktive në anën sociale në prezencat e saj mediatike, duke mos u përfshirë publikisht në aspekte politike. Pak muaj më parë, një gazetar i huaj i cili bëri një shkrim për Shqipërinë, paralajmëroi se Monika Kryemadhi është kandidatja më e mundshme e koalicionit të majtë për kryetare të Bashkisë së Tiranës.