Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu ka ironizuar qeverinë për masat e marra në sektorin e ekonomisë.

Ai ka listuar të gjitha shkurtimet që ka bërë qeveria këto vite, që nga shpërblimi në fund të vitit, përgjysmimi të ndihmës ekonomike si dhe shkurtimin e fundit për të përndjekurit.

Me këtë ritëm Spahiu shton se nuk është çudi që të deputetët të mbeten pa paga në fund të muajit.

“Në fillim hoqën shpërblimin e fund vitit. Më vonë shkurtuan investimet direkte, u gjetën PPP-t. Bllokuan rritjen e pagave, prej pesë vitesh i njëjti nivel.

Përgjysmuan ndihmën ekonomike. Përgjysmuan fondin për të përndjekurit. Së fundmi, tre herë më pak fondi i kompensimit të ish pronarëve, krahasuar me vitin e kaluar.

Mos u habisni që një ditë do ngelemi të gjithë dhe pa paga në fund të muajit. Dhe ta mendosh që e gjitha kjo ndodh pas një rritje të ekonomisë me shumë pikë përqindje”, ironizon Spahiu.