Komisioni i Venecias ka dërguar një opinion paraprak për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor të miratuara më 5 tetor pa konsensusin e të gjitha palëve.

Sipas Venecias, ndryshimet ishin jashtëzakonisht të nxituara, dhe kjo kërkon një konsultim më të gjerë para se ato të ishin miratuar

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118 ishin jashtëzakonisht të nxituara. Konsultime të gjera ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar një afat të duhur, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre ndryshimeve themelore”.

Po ashtu Komisioni i Venecias bën të qartë se është detyra e Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor, prandaj është me rëndësi që ajo të jetë funksionale.

“Kjo duhet të jetë detyra e Gjykata Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale. Komisioni i Venecias dhe ODIHR tashmë e kanë bërë të qartë se është me rëndësi jetike për Shqipërinë të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, për më tepër në një kohë në të cilën shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në Shqipëri janë të pranishme.”

Për sa i përket mungesës së konsensusit nga palët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Komisioni i Venecias thotë se ato i miratuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit.

“Ndërsa nuk bie brenda mandatit të Komisionit të Venecias dhe ODIHR për të hetuar negociatat politike të cilat mund të jenë kryer në prapaskenë dhe që çuan në miratimin e ndryshimeve të 5 tetorit, ne nuk mund të mos shprehim keqardhjen edhe një herë që ndryshimet kushtetuese shkuan kundër rregullave më themelore demokratike të hartimit të ligjit, madje duke supozuar se objekti i ndryshimeve ishte diskutuar më parë me opozita jashtë parlamentare. Demokracia e qeverisur nga shteti ligjor nuk ka të bëjë vetëm me respektimin formal të procedurave që lejojnë shumicën për të qeverisur, por edhe rreth diskutimit dhe shkëmbimit kuptimplotë të pikëpamjeve midis mazhorancës dhe opozitës” – shprehen ekspertët e Komisionit të Venecias.

REKOMANDIMET E KOMISIONIT TË VENECIAS:

Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

  1. Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;
  2. Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;
  3. Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;
  4. Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:

  1. Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;
  2. Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;
  3. Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;
  4. Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
  5. Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për tu paraqitur në listë;
  6. Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.
  7. Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.