Pas takimit në selinë blu me Ministrin Federal për Evropën, Integrimet dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrugën e gabuar në raport me integrimin e vendit kur ka mbetur edhe një javë nga vendimi i Brukselit për negociatat.

Basha tha se Rama fajëson çdokënd tjetër për dështimin e katër radhazi përveçse vetes.

"Ndamë shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve europianë në raport me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare, duke mosplotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave. Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga e gabuar në këtë javë që ka mbetur për marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Është rruga e njohur e fajësimit të çdokujt tjetër, e sulmeve ndaj BE, qeverive europiane, e sulmeve ndaj shënjestrës së preferuar opozitës, PD, madje dhe qytetarëve, medias për të hequr vëmendjen dhe përgjegjësinë. Dështimi për herë të katërt ka vetëm një vulë, vetëm një firmë, vetëm, një emër, ai është Edi Rama. Po tregon se është pengesa e vetme për të tejkaluar këtë krizë dhe zgjidhur problemet që na mbajnë peng."