Sipas asaj që shkruan shkruan politico.eu, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të presin për aspiratën e tyre evropiane.

Liderët e Bashkimit Evropiane kanë zhvilluar një debat të gjatë deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, duke mos arritur në një marrëveshje. Kjo për shkak të vetos të vendosur nga Franca.

Presidenti Emmanuel Macron kundërshtoi me forcë hapjen e negociatave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfundimisht ai mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë edhe Presidentin e Këshillit Evropian dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilët ishin në favor.

Nga ana tjetër, kryeministri i Holandes, Mark Rutte mbështeti një kompromis të mundshëm, që  do të lejonte që bisedimet të fillonin me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipëria duhet të presë.  Por edhe për këtë propozim, liderët e BE nuk ranë dakord për të ndarë dy vendet.

Franca ka cituar arsyet procedurale për bllokimin e të dy vendeve, duke argumentuar se i gjithë sistemi i pranimit në BE ka nevojë për një rregullim. Por Parisi gjithashtu e ka të qartë pikëpamjen e tij se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë të gatshme të fillojnë procesin e anëtarësimit në BE.

Përkrahësit e vendosjes së vendeve të Ballkanit në rrugën e anëtarësimit argumentuan se të dy kanë përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE dhe se besueshmëria e bllokut do të dëmtohet shumë, pasi ajo nuk arrin të përmbushë premtimet e saj.