“Rama po e sheh biznesin si armik. Tek të gjithë bizneset kanë shkuar taksidarët e tij!”

Deklarata e fortë bëhet nga anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Igli Cara. Në një intervistë për DurrësLajm, Cara analizon disa nga aspektet kryesore të sjelljes së kryeministrit me qytetarët dhe bizneset në Durrës, qytetin e goditur dy herë brenda një kohe shumë të shkurtër nga tërmeti dhe pandemia. Ndërsa propaganda qeveritare trumbeton për politikat mbështetëse ndaj biznesit, sipas Carës, subjekteve private po u kërkohet të paguajnë taksat, në një kohë kur të ardhurat dhe xhiroja ditore u janë ulur në minimum prej krizës së shkaktuar nga pandemia.

Duke u ndalur tek mënyra e qeverisjes së vendit, ish-deputeti durrsak deklaron se Rama ka krijuar precedent në zaptimin e thuajse të gjitha pushteteve duke nënvizuar ndërhyrjet për të kontrolluar Reformën në Drejtësi, mediat apo duke marrë kompetencat e pushtetit vendor.  Centralizimi i të gjitha pushteteve në vetëm pak duar, po krijon precedentë të rrezikshëm.

“Në këto momente të vështira, Rama nuk është pranë qytetarëve të Durrësit, por ndikon nga Tirana për të gjithë vendimmarrjen e pushtetit vendor”,– thotë Cara, duke marrë si shembull përcaktimin e plazheve private nga E-Albania, e jo nga administrata e bashkisë Durrës.

“Nuk mund të bëhet depozitimi i dokumenteve në Durrës dhe hallet e Durrësit të zgjidhen në Tiranë”,– thotë Cara më tej.

Duke u ndalur tek investimet që po realizohen javët e fundit për në disa rrugë kryesore apo milionat e derdhur për shëtitoren “Taulantia” apo “Velierën”, ish-deputeti Cara i konsideron ato jo të domosdoshme, sidomos në një periudhë kur qyteti është goditur shumë fort brenda një kohe të shkurtër dhe njerëzit janë ende të pastrehë.

“Është sikur të mos kesh bukë për të ngrënë apo shtëpi dhe të shkosh të lyhesh tek parukieria”, ironizon Cara investimet që po realizohen nga FSHZH dhe bashkia, të cilat mund të realizoheshin në një moment të dytë, e jo në këtë periudhë kur prioritetet e pushtetit qendror dhe vendor duhet të jenë qytetarët dhe bizneset.

Zhvillimet më të fundit në qytetin bregdetar dëshmojnë se biznesi është thuajse i gjunjëzuar dhe sezoni turistik rrezikon të dështojë për shkak të numrit të lartë të infektimeve me Covid-19, prandaj Cara i tërheq vëmendjen ish-kolegëve të tij deputetë nga rradhët e PS-së.

Ndërsa kërkon që ata të jenë një zë i fortë në parlament dhe të ngrejnë me vendosmëri problematikat e qytetit bregdetar pranë ekzekutivit apo dikastereve të ndryshme si dhe të ndërhyjnë me iniciativa ligjore, Cara u kujton se “Ky qytet është i yni. Kryeministra si Rama shkojnë e vijnë, por Durrësi është i yni. Nëse Durrësin do ta godasin fort në këtë periudhë dhe do t’i thyejnë kolonën, Durrësi do të shkojë keq e më keq. Qyteti ka nevojë të ndihmohet.”

M.B.