Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor të bar-kafeve, restoranteve dhe pishinave në ambiente të mbyllura.

Lajmin që e dha kryeministri Rama nga Vlora, ministrja Manastirliu e konfirmoi gjatë një videomesazhi këtë të diel. Ajo u shpreh se distancimi fizik dhe higjiena e stafeve që punojnë do të jetë e detyrueshme.

“Në vijim të Paketës së Masave, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posatshme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”, bën me dije Manastirliu. 

Megjithatë me hapjen e këtyre aktiviteteve, nuk ka lajm të mirë për ata që duan të festojnë. Ministrja u shpreh se pub-et, diskot, clube-t apo të gjitha aktivitetet e këtij lloji do të vijojnë të mbeten të mbyllura.

“Gjatë këtyre muajve nuk i kemi ndalur për asnjë çast përpjekjet tona për mbrojtjen e shëndetit. Kemi siguruar mjetet mbrojtëse për personelin shëndetësor”, shtoi ajo më tej.

Sipas ministres respektimi i protokolleve është kusht i panegociueshëm pasi vetëm në këtë mënyrë mund të vijojnë punën pa ndërprerje bizneset duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë.

“Respektimi i protokolleve të sigurisë është kusht i panegociueshëm, për të vijuar pa ndërprerje aktivitetet e biznesit dhe të shërbimeve dhe që ekonomia të mos cënohet nga kufizimet e detyruara për arsye të ruajtjes së shëndetit publik”, tha ministrja.