Qytetarët e Tiranës do të marrin më lehtë dhe më shpejt dokumentet zyrtare që u nevojiten. Duke filluar nga muaji janar, Bashkia e Tiranës do të lëshojë rreth 70 dokumente në një kioskë, ku qytetarët, ashtu sikurse veprojnë në një bankomat, do të mund të printojnë dokumentet e tyre zyrtare pa pritur në radhë dhe duke rritur në këtë mënyrë edhe transparencën.

I pranishëm në konferencën e parë rajonale me temë “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes” të organizuar nga PNUD, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës po punon për të zgjeruar gamën e shërbimeve që ofrojmë online duke shmangur kontaktin me punonjësit.

“Një pjesë e madhe e popullsisë sonë, në Shkup, në Tiranë, në Moldavi, në Kosovë, e harxhon kohën duke qëndruar në radhë për të takuar një zyrtar i cili duhet t’i japë një letër që dëshmon që ti je ti. Pra që është certifikata jote. Sa  orë, sa kapital njerëzor, sa energji e çmuar, kalohet nëpër qytetet tona në radhë për të prodhuar që ti je vetja jote. Nonsens. Ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari në Tiranë do të jepen në një kioskë. Që është njësoj si bankomati. Mjafton të futësh ID. Do paguash sa është tarifa dhe do ta printojë një makineri”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo nismë do t’u kursejë qytetarëve 9 ditë të humbura në vit për të marrë një dokument zyrtar dhe njëkohësisht do të shmangë dhe korrupsionin.