Zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç ka reaguar në lidhje me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Ajo është shprehur se nuk i takon Bashkimit Europian të vlerësojë emërimin e anëtarëve të Gjykatës. Më tej, ajo shprehet se nëse nuk arrihet dakordësia brenda Shqipërisë, të merret opinioni i Komisionit të Venecias.

‘Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi’, thotë ndër të tjera Zëdhënësja e BE-së.

Reagimi i plotë:

Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizimit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar pranimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.

Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësore të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.

Nuk i takon Bashkimit Europian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.

Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendose mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi.