Drejtuesi politik i Qarkut të Korçës, Niko Peleshi në një prononcim për mediat vendase ka folur për punën që ka nisur me strukturat në prag të zgjedhjeve.

Peleshi thotë se të punojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Korçës për të është një mision dhe se ai e sheh politikën të lidhur pikërisht me këtë qytet. Madje shton, se fundi i tij politik do vijë ditën kur nuk do të jetë në listën e deputetëve pikëirsht në qarkun e Korçës.

Peleshi ka komentuar edhe marrëdhëniet me kryeministrin Rama, të cilat thotë se janë të mira dhe nuk ka asnjë mërzi, pse nuk është ende ministër.

Përse mendoni se nuk është cënuar marrëveshja e 5 qershorit?

Besoj që kjo është një temë tani e ezauruar dhe kam përshtypjen që jo vetëm ne po dhe formacionet e tjera politike janë duke parë përpara. Marrëveshja e 5 qershorit ishte një marrëveshje politike jo e detyruar nga ligji, po e detyruar nga dhënia e një legjitimiteti politik të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ndryshimet Kushtetuese është thenë disa herë, nuk e injoruan dhe nuk nëpërkëmbën marrëveshjen e 5 qershorit ato vetëm sa shtuan dhe saktësuan mbi atë bazë më pas me ndryshimet e shtatorit të Kodit Zgjedhor një sistem zgjedhor i cili i jep fund një lloj non sensi të pashpjegueshëm të trashëguar nga e kaluara mirë apo keq, për të gjitha partitë njëlloj të formulës së koalicioneve. Formula e koalicioneve nuk ishte një formulë e cila mund të gjendej në një shtet tjetër të demokracive me të cilat duam të krahasohemi dhe përafrohemi. E kundërta është me formulën e re, e cila u adoptua nga shtete tashmë të konsoliduara si Austria e Kroacia që janë demokraci më të konsoliduara e më përpara se ne. Pra nuk u bë një shpikje, su bë një formulë diskriminuese apo favorizuese, një formulë e cila do të ishte dhe ligjore legjitime por në dukje favorizuese do të ishte vendosja e primit PS pra Mazhoranca e saj edhe kompozimi i parlamentit me opozitën parlamentare mund ta bënte të mundur vendosjen e primit. Nuk u bë, do të quhej si një favorizim i një force politike që dihet që prej 30 vitesh ka qenë vazhdimisht forcë e parë, pra do dukej se favorizonte PS.

Nuk shkuam te primi, ka qënë në diskutimet tona politike edhe ajo formulë jo tani. Nuk shkuam te një formulë që nuk lejohen koalicionet por që cdo parti merr mandate në varësi të votave që merr. Jo një parti e vogël merr mandate me gjysmat e votave, partia e madhe merr tepricat. Kjo është ajo që u korrigjua. Nuk shikoj arsye për asnjë parti të shpenzojë energji me kodin. Nuk të bën formula fitues, të bën vota popullore. Ne nuk kemi një kod i cili deformon votën popullore, në rast se një parti merr më shumë vota do të marrë më shumë mandate. Kjo është formula që kemi sot.

Zoti Peleshi e kishit pritur se do të ishit ju drejtuesi politik i qarkut të Korçës edhe pas ftohjes me Ramën?

Nuk kam asnjë ftohje me kryeministrin. Në rast se i referoheni ndryshimeve të fundit në qeveri pas të cilave unë nuk jam më ministër do të ishte mendjelehtësi dhe naivitet politik në rast se një ministër kushdo qoftë ai, do të ndihej si i fyer pse nuk vazhdon të jetë ministër. Shqipëria nuk ka këtë hall, s’ka hallin e punës që do bëjë Niko Peleshi apo kushdo tjetër. Shqipëria ka hall tjetër dhe e kundërta do të ishte keq, pra nëse do të kishim formacione që nuk ndryshojnë.

Ne nuk jemi monarki, ne si trashëgojmë mandatet. Ato fitohen me votën popullore dhe me vullnetin e kryeministrit, i cili kompozon një formacion qeveritar ku harmonizohen të gjitha që nga performanca deri te shumë faktorë të tjerë. Nuk kam asnjë lloj pakënaqësie, përkundrazi jam shumë i lumtur që përfaqësoj Korçën, do vazhdoj të drejtoj punën politike në qarkun e Korçës. Punët kanë shkuar mirë këto vite në Korçë po dhe në Pogradec, Kolonjë, Devoll, Maliq dhe së shpejti dhe në Pustec. Duhet thënë që është një zonë e vogël e lënë pas. Kemi bërë punë të mira në këto vite, mendoj që shumë prej këtyre nuk kanë shkuar atje ku duhet, pra te ekonomia e cdo familje. N.q.s dikush ka vullnet për punë dhe unë e kam atë e gjen misionin që mund t’i japë vetes për tu ndjerë pastaj në fund të karrierës mirë se në punën e tij, nuk është çështja se bëri karrierë personale, por la nga prapa një jetë më të mirë për bashkëqytetarët e tij të cilët do i shikojë në sy, sepse unë hy në ata njerëz që politikën e kam të lidhur me Korçën.

Të gjitha këto kishit parasysh kur nuk shkëputët për asnjë moment lidhjet me elektoratin në juglindje të vendit dhe duke mos qenë më ministër?

Jo, sepse marrëdhënia ime s’dua ta quaj elektorat, dua ta quaj komuniteti i Korçës dhe gjithë qarkut të Korçës më shumë sesa politike dhe partiake është emocionale dhe njerëzore. Në çdo pozicion që do të jem apo kam qënë në politikë apo jashtë saj, unë do ngelem korçar dhe një korçar që i ka vënë vetes mision: të lërë pas apo të marrë me vete një ditë kujtime të mira për punën që ka bërë në raport me komunitetin. Kjo mund të duket si poezi po s’është fare poezi. Unë e dashuroj Korçën, unë kam lindur korçar dhe do vdes korçar. Pastaj politika është një gjë tjetër. Unë e kam të lidhur mbase në mënyre atipike politikën me Korçën në kuptimin që se mendoj veten si një politikan shtegtar. Unë nuk mund të jem deputet i një qarku tjetër, në rast se do vijë një ditë që nuk e uroj që në qarkun e Korçës të mos kem kredit politik ai do të jetë fundi im politik. Nuk kam ndërmend të shtegtoj si politikan që kur i del boja diku, shkon ku se njohin. Këtë model politike që mund të jetë “ok” unë se ngjit dot në veten time.