Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u foli studentëve nga foltorja e Kuvendit, teksa me mijëra studentë janë përpara kryesisë së Kuvendit, duke iu thënë se në arsim janë ndërmarrë shumë reforma të cilat duan kohën e tyre për të dhënë frytet. 

Me zërin që i dridhej dhe gati e përlotur ajo  tha se do të kishte qenë më e lehtë të administronte atë çfarë gjeti në arsim, por zgjodhi të ishte në krye të reformës që sipas saj solli një erë të re në arsim, por që  marrja e fryteve kërkon kohë.

Megjithatë Nikolla u dha të drejtë studentëve në kërkesat e tyre, duke deklaruar se është e gatshme të marrë çdo përgjegjësi. 

“E vërteta dhe puna kanë qenë aleati më i mirë në këto vite, por koha do të flasë. Unë jam e gatshme për të marrë çdo përgjegjësi. Koha do të flasë, standartizuam sistemin e ri të pranimeve në Universitet me busull të vetëm meritën dhe në kushtet e një transparence të plotë. Akredituam ndërkombëtarisht të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, por koha do të flasë. Studentët kanë të drejtë dhe kanë ngritur shumë çështje. A është problemi i arsimit tonë të lartë çmimi dijes apo vetë cilësia me të cilën dija jepet? A janë sot të nevojshme ndryshimet? Për këtë nuk ka nevojë të flasë koha, por e bërtas dhe unë me një Po të fortë.

Nikolla tha se ligji i ri i arsimit ka krijuar kushte për të gjithë studentët, teksa foli edhe për etiketimet e ndryshme që ka marrë nëpër rrjete sociale dhe diskutimet rreth veshjeve të kushtueshme nga mediat.

“Ligji i ri ka krijuar kushtet për një erë të re, po ligji duhet zbatuar, por kërkon kohë për të dhënë frytet. Kohë dhe mentalitet të ri. Sot me studentët në protestë gjithkush ka të drejtë të tregojë kushtin. Askush nuk do të donte të ishte në vendim tim.- Lindita Nikolla dil nga ministria, të kanë ardhur studentët, jo ushtria. Thërritën, studentët, unë dola nga Ministria sepse nuk e kam fare të vështirë, kam punuar si të ishte dita e fundit dhe për të mos turpëruar asnjë mësues dhe asnjë që më besoi mua.

Do ishte shumë e thjeshtë, por pas asaj që gjetëm me ato kurrikula, me trajnimin e mësuesve, me gjithçfarë universitetesh, apo doktoratura pa kërkim shkencor, të mbyllnim sytë.

Do kishte qenë më e lehtë për ndrikull Nikollën, herë me diplomë Kristali, e herë me mesatare hyrëse apo dalëse nga universitete sipas qejfit, lere pastaj për luksin e çantave. Do kisha shpëtuar unë e gjora nëse do kisha administruar atë çfarë gjeta, nga memet, fotot e etiketuara dhe gënjeshtrat. Zgjodha të jem në krye të një reforme sistemike në arsim, nga kopshti në Universitet. Lindita Nikolla dil në bulevard, shkolla është e jona, s’është biznes privat…

Po, shkolla është e juaja, ndaj akredituam universitetet, vumë rregull dhe nuk lamë të parkohet papunësia rinore. Faleminderit për mbështetjen që me keni dhenë për këto 5 vite”, tha Nikolla nga foltorja.