Në daljen e saj të dytë për mediat brenda pak orëve, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se mbështet kërkesën e disa këshillave studentorë për të ngritur një grup të përbashkët pune për trajtimin e kërkesave të studentëve.

Nikolla tha se kjo protestë vuri në pah shumë mangësi në komunikim me studentët dhe sa pak informacion kanë për reformën në arsim.

"Më vjen shumë mirë që kam marrë një reagim inkurajues nga disa këshilla studentorë. Është e vërtetë që kemi kohë që presim për një angazhim edhe më të madh të studentëve për zbatimin e reformës në arsimin e lartë, për modernizmin jo vetëm të sistemit të financimit, por modernizmin në tërësi të çdo institucioni të arsimit të lartë. Kjo protestë e studentëve tregoi sa pak informacion dhe sa pak komunikim kishte tek studentët. Ndaj më shumë sesa rëndësia thjesht dhe vetëm për të shfuqizuar pikën 4 të VKM besoj se kjo protestë e studentëve ia vlejti për të ngjallur më shumë refleksion, shërbeu si një katalizator për një debat shterues brenda universitetit. Kam marrë një kërkesë nga këshillat studentore që e miratoj me të dyja duart. Një kërkesë që më thotë që për kërkesat 2,3 dhe 4 të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga këshillat studentorë, ministria dhe universitetet. Jam dakord dhe besoj që kjo është rruga e duhur që ne përmirësojmë shumëçka, por mbi të gjitha të ndërtojmë një dialog të shëndetshëm me të vërteta, ku bordet e administrimit, senatet dhe çdo aktor tjetër në jetën e universitetit, po ashtu ministria ti bëjë transparente dhe të debatojë me studentët për gjithcka që merret vendim për jetën universitare.", tha Nikolla.