Fushata elektorale ka nisur sot zyrtarisht. Partia Socialiste e Durrësit prej kohësh ka nisur punën për të garantuar mbarëvajtjen e saj dhe njëkohësisht për të arritur një rezultat sa më të thellë në terren. Aktualisht në qytetin e Durrësit funksionojnë 18 shtabe elektorale, nga një në çdo lagje të qytetit, por numri i tyre pritet të mbërrijë deri në 28, në kulmin e fushatës. Mungesa e rivalëve të përhershëm PD dhe LSI duket se është reflektuar edhe në numrin e shtabeve, që në krahasim me ato të vitit 2017 (40 të tillë) janë më të paktë në numër.

Sekretari organizativ i PS-së së Durrësit, Arben Isaku, shprehet për “DurrësLajm” se qëllimi kryesor i kësaj fushate do të jetë puna me qytetarët për t’i bindur ata të marrin pjesë masivisht në votime. Isaku e pranon se kjo do të jetë një fushatë ndryshe nga ato të mëparshmet, pasi megjithëse është e përfshirë edhe një kandidate tjetër në garë, Valbona Sakollari e Bindjes Demokratike, PS synon të fitojë përveç kryetares, edhe 51 anëtarët e Këshillit Bashkiak. Ndërsa duket se gjithçka do të jetë më e lehtë për PS-në për të fituar sërish bashkinë, pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në votime duket se është sfida që dega lokale ka marrë përsipër. Pjesëmarrja masive do të legjitimonte procesin, që në Durrës po zhvillohet pa rivalë potencialë.

Megjithëse është Valbona Sako doli si kandidaturë vetëm në ditët e fundit para zyrtarizimit të kandidatëve, Isaku shprehet se në të gjitha takimet me elektoratin, Sako është pritur mjaft mirë. “Eksperienca e saj 6-vjeçare në krye të Tatimeve dhe marrëdhëniet shumë korrekte që ajo ka mbajtur me biznesin gjatë ushtrimit të detyrës e kanë bindur bazën socialiste se ajo është kandidatja e duhur për të vijuar punën e mirë të bërë deri më tani gjatë 3 mandateve të kryebashkiakut Dako. Është një kandidaturë që është pritur me shumë pozitivitet”, thotë Isaku.

Krahas takimeve në terren, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet rrjeteve sociale. Isaku shprehet se çdo shtab elektoral i PS ka tashmë të hapur në rrjete sociale një profil të veçantë, nga i cili do të bëhen shpërndarjet në kohë reale të postimeve të kandidates Valbona Sako, PS-së së Durrësit dhe atyre të kryeministrit Rama apo selisë rozë.  

Bashkia e Durrësit drejtohet prej 5 mandatesh nga Partia Socialiste dhe me shumë gjasa, nëse zgjedhjet do të mbahen në 30 qershor, do të fitojë mandatin e 6-të radhazi, duke shënuar një rekord më vete.   

M.B.