Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani gjatë mbledhjes së sotme e ka cilësuar situatën aktuale në parti si më kritiken pas vitit 97.

Në prezencë të Bashës dhe të gjithë anëtarëve të tjerë, Nishani ka thënë se PD është në një moment dëshpërimi si asnjëherë më parë.

Nishani më tej thekson se PD s’mund të fitojë përballë një regjimi gangsterësh, ndërkohë shton se masakra elektorale është gjysma e së vërtetës, pasi gjysma tjetër është dështimi i vetë PD.

“Jemi në pikën më kritike pas 97. PD është në moment dëshpërimi si asnjëherë më parë. Ne nuk mundëm të fitojmë përballë një regjimi gangterrësh. Ka ndodhur masakër elektorale, por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës

Gjysma tjetër po aq e hidhur është dështimi ynë. Gjysmë e vërteta nuk është e vërtetë. Nuk mund të dalim në konkluzion pa e bërë analizën baza e partisë. Kush nuk e njeh situatën në bazë, nuk e njeh realitetin dhe nuk mund të gjykojë punën e demokratëve. Ne nuk i ndryshojmë dot realitetin. Shqipëtarët nuk erdhën të na besonin ndaj edhe votuan vetëm 46%. Kur populli do ndryshim, lëshohet si dallgë në qendrat e votimit për ndryshim. Sot kemi vota më shumë se në 2017 po më pak se në 2013 kur disa persona mbajtën përgjegjësi dhe dhanë dorëheqjen. Ne mbetëm përsëri parti e dytë me diferencë të madhe. Po e nisim legjislaturën e re aty ku e lamë në 2019.”– tha Nishani.