Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani ideja e depolitizimit të komisioneve si pjesë e reformës zgjedhore është një atentat shumë i rëndë për demokracinë.

Manjani shkruan në Faceboook se komisione zgjedhore të depolitizuara, në Shqipëri do të thotë komisione të partisë në pushtet dhe e quan një hile të zezë të maxhorancës.

POSTIMI I PLOTË

Një hile e zezë që po vërtitet të na prezantohet si reformë zgjedhore është, depolitizimi i komisioneve.

Dëgjova që edhe Kryeministri i pa punë këtë gjë ka thënë.

Kjo do jetë padyshim vrasja e çdo lloj shprese për të mbajtur zgjedhje në vend. Nuk po them të lira e të ndershme, se as që bëhet fjalë.

Por s’do ketë më zgjedhje fare!

Pra nëse heqim balancën politike ku palët ruajnë njëra-tjetrën në komisione dhe ti zëvendësojmë këto të fundit me demek jo politikë është utopi.

Ku janë këto jopolitikë?! Në administratën monopartiake, apo në shoqërinë civile që këndon sipas donatorit?!

A i patë votimet e 30 qershorit, ku s’kishte askush që t’i ndalonte në masakrën e mbushjes së kutive?!

Ky është standardi i reformës se depolitizimit?!

Që ta mbledhim mendjen, ne këtu dhe ata që shkruajnë raporte teorie: komisione zgjedhore të depolitizuara, në Shqipëri do të thotë komisione të partisë në pushtet.

Ky do të ishte një atentat shumë i rëndë dhe përfundimtar i demokracisë!