Rëndohet situata e qytetarëve të bllokuar në pikën doganore të Kapshticës. Njëri prej tyre është ndjerë keq dhe është transportuar me makinën e policisë në spitalin e Bilishtit për mjekim.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, teksa ka denoncuar rastin thotë se situata e bashkëqytetarëve në kufirin tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë i ka kaluar limitet e trajtimit çnjerëzor.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e tyre janë punonjës sezonalë në shtetin grek, pa asnjë mundësi për të jetuar atje pa punë.

“Një vend anëtar i NATO-s dhe Këshillit të Europës, kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, nuk mund të sillet kurrë me standardet e Koresë së Veriut ndaj qytetarëve të tij. Qytetarë të lënë në mes të rrugës, për ditë të tëra, pa ushqim, pa ujë dhe pa asnjë ndihmë, po rrezikojnë jetën, vetëm për shkak se Qeveria nuk ushtron përgjegjësinë e saj ligjore”.

Sipas Bardhit, është e patolerueshme që Qeveria vijon me kokëfortësi injorimin e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për të hyrë në atdheun e tyre. “Ky është krim” akuzon ai.