Në rubrikën e përjavshme “Pyet kryeministrin”, kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje interesit të një mjeku imazherist lidhur me njësimin e patentave mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Sipas Ramës, qeveria shqiptare i ka përbushur të gjitha detyrat dhe është në pritje të përgjigjes nga autoritetet shqiptare.

“Kemi kaluar provimin e autoriteteve të inspektimit të standardeve të transportit sa i takon strukturës sonë. Është bërë revolucion në shërbimin ndaj gjithë drejtuesve të automjeteve.

Raporti me vlerësime jashtëzakonisht pozitive nga inspektimi i palës gjermane ka shkuar në Ministrinë Federale që e ka shpërndarë për të gjitha Landet.

Duhet që secili shtet përbërës ta aprovojë dhe pastaj leja shqiptare e drejtimit të njihet në të gjithë territorin e Republikës Federale.

Është proces në duar të autoriteteve gjermane, sa na takon ne e kemi bërë detyrën tonë.

Besojmë se më shpejt se vonë do të vijë momenti i shumëpritur që mos të keni nevojë të bëni ato pagesat e kripura për patentën por të përdorni patentën shqiptare.”, shkruan kryeministri.