Në mbledhjen e Këshillit Politik këtë të martë palët kanë rënë dakord për disa çështje. Kështu është pranuar propozimi i opozitës për periudhën zgjedhore. Gjiknuri tha se është lënë dakord që periudha zgjedhore të jetë nga 15 prilli deri më 15 maj dhe nga 15 tetori më 15 nëntor.

Tjetër dakordësi është lënë edhe për kuotat gjinore.

“Ramë dakord për parimin e kuotës gjinore që Shqipëria të avancojë që në 1 në 3 e tyre të jetë minimalisht nga gjinia femërore. Ende nuk kemi gjetur një model përfundimtar dhe iu la detyrë  ekspertëve”, tha Gjiknuri.

Sa i përket financimit të partive është rënë dakord që të jetë miks.

“Ramë dakord që të kemi financimin miks, ku do të ketë një financim nga paraja publike dhe pjesa tjetër nga privati. Do të ulet në një raport më të pranueshëm. Qeveria ka marrë përsipër që të shtojë vlerën totale që do të jepet për fushatën zgjedhore”, tha Gjiknuri.

Në këtë çështje Gjiknuri tha se ndahen nga disa çështje, megjithatë në përgjithësi palët kanë rënë dakord.

Përfaqësuesi i mazhorancës tha se mbledhja e radhës e Këshillit Politik do të zhvillohet të enjten dhe do të diskutohen disa çështje siç janë krimet zgjedhore dhe amnistia e personave që denoncojnë krime zgjedhore.

“Këto ishin rezultatet e kësaj mbledhje dhe jam i kënaqur se kemi progres”, tha Gjiknuri, i cili shtoi se nëse punohet  me intensitet, palët mund të bien dakord në parim deri në këtë datë.