Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim është ftuar nga ish-kryetari i saj, Ilir Meta, sot president i Republikës, për të biseduar mbi krizën politike në vend. Kjo parti përfaqësohet në Presidencë nga Petrit Vasili dhe jo nga kryetarja Monika Kryemadhi, bashkëshorte e presidentit.

Vasili ka mbërritur pak minuta më parë në zyrën e kreut të shtetit për të biseduar mbi krizën. Petrit Vasili mbajti postin e kryetarit të LSI-së gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, e cila në terren u drejtua nga Ilir Meta, ndonëse ky i fundit ishte votuar në Parlament si President i Republikës. Aktualisht, Vasili është një prej 26 anëtarëve të Kryesisë së LSI-së.

Më herët në zyrën e Metës ishte i pranishëm kryeopozitari Lulzim Basha, ndërkohë që kryeministri Edi Rama vijon të refuzojë ftesën e presidentit, e cila është e vlefshme deri në orën 13:00.