Prokurori i ri i Përgjithshëm Olsian Çela ka marrë sot detyrën në krye të akuzës shqiptare. Një ditë pas votimit nga parlamenti, Çela ka mbërritur sot në Prokurorinë e Përgjithshme ku ka marrë detyrën nga Arta Marku, e cila drejtoi për 2 vite si Kryeprokurore e Përkohshme.

Marku tha se ndihet e vlerësuar që drejtoi Prokurorinë duke bërë falënderimet e rastit, ndërkohë që uroi Çelën për detyrën dhe u shpreh e lumtur që ia pason një shoku të saj të klasës.

“Ndihem e vlerësuar që drejtova Prokurorinë. Ishin dy vite të vështira për çdo magjistrat. Një falënderim të veçantë për mediat. Roli juaj i pazëvendësueshëm dhe na bën më të përgjegjeshmë për detyrën tonë. Urime prokurorit të ri. Shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një shoku tim të klasës”, deklaroi Marku.

Kuvendi zgjodhi dje Kryeprokurorin e ri me anë të një votimi të fshehtë. Me 101 vota pro, Kuvendi votoi kandidaturën e Olsian Çelës si Kryeprokuror për shtatë vitet e ardhshme dhe ai u betua dje në parlament, ndërsa sot nisi zyrtarisht detyrën. Për Arta Markun, e renditur e dyta si kandidate e KLP, Kuvendi votoi me 11 pro 22 kundra dhe 78 abstenim.