Presidenti Ilir Meta ka reaguar menjëherë pas publikimit të raportit zyrtar të Komisionit të Venecias, për çështjen e anulimit të dekretit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Në një reagim për mediat, Presidenti Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës, ndërsa shtoi se "si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak".

Deklaratë e Presidentit të Republikës

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës.

Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak.

Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:

1.      Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.

2.      Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.

3.      Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.

4.      Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.

5.      Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.

Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.