Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është paraqitur sot në gjykatën penale për t'u përballur me padinë e deputetes socialiste, Klotilda Bushka Ferhati.

Në një prononcim për gazetarët, Salianji tha se ndodhet në gjykatë për t'u treguar shqiptarëve se kush janë përfaqësuesit e tyre në parlament. Ai tha se kompania e burrit të deputetes ka arritur një xhiro 3 mld lekë pas ardhjes në pushtet të Ramës.

"Sot në seancë është rasti i deputetes së PS, Klotilda Ferhati. Këta duan edhe të zhvatin, edhe vjedhin edhe t’u thuash bravo u qoftë. Këtu kam pasqyrat financiare të kompanisë selcom, që është kompania e bashkëshortit të vet, e cila në 2012 kur nuk ka qenë në pushtet Rama ka pasur një bilanc negativ. Me ardhjen në pushtet të Rilindjes ka rilindur edhe kompania e burrit të deputetes. Vetëm tek kjo kompani xhiroja e tij ka arritur në 3 mld dhe disa milion lekë. Kjo është akuza që kam bërë më parë, kjo është akuza që do ta përballim edhe në gjykatë. Është rast i mirë, si cdo rast që cohet në gjykate do të marrë më shumë vëmendje mediatike, për cdo deputet që për shkak të skandaleve të mëdha, të drogës e vjedhjeve nuk janë bërë publike. Në të ardhmen do të kemi kohë, rast tipik, jo vetëm ky, por si të gjithë përfaqësuesit e PS apo rilindjes, u janë fryrë financave dhe mendojnë se do tu mbyllin gojën publikut, se mua jo e jo."