Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar pas propozimit të kryeministrit Edi Rama për një projektligj kundër shpifjeve, ku të gjitha fitimet nga gjyqi të shkojnë për fondin e edukimit. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Manjani theksoi se Rama ka një armiqësi patologjike me lirinë e shprehjes.

Sipas Manjanit, këto nene të Kodit Penal janë bosh, pasi u hoqën në vitin 2012 edhe me votat e Partisë së Ramës.

Ai tha se armiku patologjik i lirisë së shprehjes, do t’i mbushë prapë këto nene, që janë aty që prej kohës së diktatorit Enver Hoxha.

“Besoj e patë dhe mbrëmë se në ç’armiqësi patologjike gjendet sot Kryeministri me lirinë e shprehjes. Që nga koha e arrestimit të Aleksandër Frangajt e Martin Lekës, nuk kishim parë një sulm të tillë ndaj gazetarëve!

Megjithatë, sa për informacion këto nene të Kodit Penal janë bosh. U boshatisën në vitin 2012 edhe me votat e Partisë së Kryeministrit.
Ishte një nisëm e OSBE dhe e mbështetur nga BE dhe KoE. Synimi ishte i qartë: Askush nuk mund të ndëshkohet pse mendon, beson dhe shpreh ato që mendon për qeverinë dhe shtetin.
Armiku patologjik i lirisë së shprehjes, do ti mbushë prapë këto nene, që janë aty që prej kohës së Enverit!
Vetëm se i duhen 84 vota…
Të fala shumë OSBE, në qoftë gjallë!”
, shkruan Manjani.