Ish- deputetja e PD, Oriola Pampuri denoncon se spitali i cili një muaj më parë u inagurua nga Rama dhe Manastirliu si spitali COVID-4 është i kyçur dhe jashtë funksionit.

Pampuri thotë se spitali COVID- 4 është mashtrimi  i radhës i Ramës qeveria e të cilit s’ka asnjë plan dhe tashmë është dorëzuar para situatës jashtë kontrollit të COVID_19.

Sipas saj është e pafalshme që qeveria është mbajtëse statistikash dhe nuk ka plan teksa paralajmëron se mashtrimin e Ramës me COVID-4 do e vuajnë pacientët që kanë nevojë për trajtim tek Shefqet Ndroqi i cili do të rikthehet në një spital COVID-2 si gjatë muajve prill- maj kur priste vetëm pacientë me COVID-19.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ORIOLA PAMPURI

Përshëndetje!

Ndodhem sot tek godina që kryeministri në ikje dhe Ministrja e Shëndetësisë e inauguruan me bujë si spitalin Covid 4. Një muaj më parë, propaganda e qeverisë në ikje ua shiti shqiptarëve këtë godinë si një strukturë spitalore që do të ndihmojë spitalin infektiv për të përballuar një fluks të mundshëm pas rihapjes. Fluksi ka ndodhur në përmasa të frikshme dhe jashtë kontrollit, por kjo godinë spitalore nuk është gati për të kryer funksionin e saj mbështetës, siç premtoi kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë.  Asgjë nga ato që u shfaqën në ERTV në 2 qershor, nuk është në funksion. Gjithçka është një mashtrim. Dëgjojeni vetë kryeministrin në ikje që gënjente pa turp në 2 Qershor.

SINKRON EDI RAMA

(Mund të ndodhë që numrat jo vetëm të rriten, por të na shoqërohen me atë që nuk e patëm herë  e parë, larg qoftë. Dhe ky spital është përgjigja e duhur për të qenë gati. Është fantastike, fantastike)

Është e qartë që kryeministri në ikje ka gënjyer shqiptarët, i ka bërë të besojnë se kemi kapacitete të reja për të përballuar fluksin. Asgjë nuk ka ndodhur nga ato që premtoi Edi Rama. Struktura e re spitalore, COVID 4 është e kyçur dhe jashtë funksionit. Faturën e kësaj propagande do ta paguajnë mijëra pacientë që marrin shërbim tek spitali Shefqet Ndroqi, i cili është vendosur të rikthehet në spital COVID. Ky ishte plani i vetëm i kësaj qeverie të falimentuar për të përballuar fluksin në rritje – heqja e shërbimit të duhur spitalor për mijëra pacientë, të sëmurë kronikë, shpeshherë rëndë. Duke rikthyer sanatoriumin në COVID, të sëmurët nuk do të kenë më mundësinë të marrin trajtime të specializuara tek sanatoriumi, pasi qeveria do ta izolojë spitalin për të infektuarit me COVID.

Qeveria e Edi Ramës është pa asnjë plan për të përballuar situatën, që është në gje dje të lirë. Qeveria është dorëzuar. Kryeministri në ikje nuk e ka shtuar fondin për shëndetësinë as në buxhetin e rishikuar pra pak ditësh. Shqipëria ka nevojë të rrisë nunrin e testimeve, të rrisë kapacitetet laboratorike, pasi 4 muaj pas shpërthimit të epidemisë, vazhdohet që të punohet me 1 laborator të vetëm. Mungesa e një strategjie ka bërë që Shqipëria të jetë në 15 vendet e para në Europë me numrin më të lartë të të infektuarve për 1 milionë banorë. Është e pafalshme që qeveria është shndërruar në mbajtëse statistikash dhe nuk thotë çfarë plani ka për të vënë nën kontroll situatën e rënduar.

Jeta dhe shëndeti i qytetarëve vlejnë më shumë se pushteti i Edi Ramës. Duke u fshehur, nuk fsheh problemin, por e përkeqëson atë. U bëj thirrje qytetarëve të marrin masa për të ruajtur vetë jetën e tyre. Të përdorin maskat në mjedise të mbyllura, të ruajë distancën. Është shërbimi më i mirë që mund të bëjnë për veten, pasi qeveria nuk do t’ia dojë për ta. Mashtrimi me këtë spital fantazëm është një provë tjetër për këtë.