Presidenti Ilir Meta ka dhënë një tjetër mesazh të fortë, sa i takon debatit për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Para se të shkonte në Forumin rajonal për barazinë gjinore, Meta ka paralajmëruar se po afron dita e referendumit, ndërsa është shprehur ashpër se askush nuk duhet të guxojë të përdhosë Kushtetutën.

“Është tërësisht e zgjidhur kriza për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe, meqë po afron 22 nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën dhe këto parime që janë edhe sot të sanksionuara pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë në pabesi, kam një paralajmërim të fundit për të gjithë ata që mendojnë se betimi i Metës mbi Kushtetutë ka qenë një proces formal. Nuk ka institucion më të rëndësishëm në Shqipëri se Kushtetuta e Shqipërisë, e cila ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vetë, që është Gjykata Kushtetuese. Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën dhe për të kapur përfundimisht gjithë sistemin e drejtësisë, me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura. Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetues, është institucioni më i rëndësishëm”, ka deklaruar Meta për gazetarët.