Kuvendi do të rikthehet sot pas pushimeve verore që zgjatën pak më shumë se 1 muaj.

Sot shënohet fillimi i Sesionit të Vll parlamentar të Legjislaturës së IX teksa ai paraardhës u mbyll më 30 korrik me miratimin e ndryshimeve kushtetuese me shumicë votash.

Ditën e djeshme, Presidenti Ilir Meta dekretoi datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që do të jetë 25 prilli i vitit 2021.

Kuvendi është tashmë 8 muaj larg nga zgjedhjet e ardhshme, kur do të zgjidhen edhe deputetët e rinj.

Sa i përket seancës së sotme, ajo fillon në orën 17:00 dhe në rend dite janë miratimi i procesverbalit për seancën plenare të datës 29 dhe 30 korrik, çështjet për shqyrtim, draftprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator- 25 shtator dhe 7 shtator- 16 tetor.

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Seancë plenare PUBLIKE
E hënë, 7 shtator 2020, ora 17.00
Rendi i ditës
Në mbështetje të Urdhrit nr. 43, datë 31.08.2020 të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, rendi i ditës
është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 29.07.2020 dhe 30.07.2020
(Neni 44, pika 2 e Rregullores)
2. Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim
(Neni 44, pika 3 e Rregullores)
3. Njoftimi/Miratimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator – 16 tetor 2020
(Neni 26/neni 55 Rregullore Kuvendi, njoftim/shumicë e thjeshtë votash për miratim)
4. Njoftimi/Miratimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 7 – 25 shtator 2020
(Neni 27/neni 55 Rregullore Kuvendi, njoftim/shumicë e thjeshtë votash për miratim)