Ndërsa opozita e bashkuar ka nisur përgatitjet për mbajtjen e protestës kundër qeverisë Rama më 27 janar, ish drejtues të lartë të Partisë Demokratike janë skeptikë nëse kjo protestë do të përbushi misionin e saj. Në një intervistë dhënë për RTSH, ish nën kryetari i PD Astrit Patozi, tha se protestat reale janë ato që shpërthejnë nga revolta qytetare dhe jo ato që mbahen për shkak të partive.

“Kjo protestë është e destinuar për të qenë protestë e partive, por gjithsesi s’dua të dekurajoj askënd dhe shpresoj shumë le të shërbejë si shkëndije të ndezë shoqërinë. Lulzim Basha nuk është në gjendje sot që ndezë partinë e vet, që drejton dhe një njeri që ka vështirësi komunikimi apo për të ruajtur autoritetin brenda shtëpisë së vet e ka të vështirë të jetë i pari i qytetit apo i pari i fshatit”, tha ai.

Sipas zotit Patozi në kushtet kur opozita merr përsipër të nxisë protestat masive, kjo sipërmarrje kërkon lidership të fortë politik, tiparet e të cilit në gjykimin e tij, qartazi mungojnë tek Lulzim Basha.

Ish numri dy i PD për një kohë të gjatë, vlerëson se zoti Basha ende vijon të anashkalojë platformën e shumë ish drejtuesve të PD-së, për ndryshume statutore. Për zotin Patozi, ky është një problem që i mbetet zotit Basha.

Nënkryetari i PD i cili bashkë me disa figura të njohura të partisë është distancuar nga lidershipi i ri i partisë, thotë në intervistë se për ta ka më kthim pas. Zoti Patozi bën të ditur se do të vijojnë takimet me demokratët në mbarë vendin, me qëllim ringritjen e Partise Demokratike. Ata jane të vendosur për të mos i dhënë “kënaqësinë” askujt, me krijimin një force të re politike.

Për zotin Patozi ka rëndësi jetike respektimi i forumeve të Partisë, që janë anashkaluar nga Basha sipas tij edhe në aleacën e krijuar me LSI-në. Këtë marrëdhënie ai e gjykon të panatyrshme, të parakohshme, ndersa këmbëngul për informacionin që duhet tu jepet demokrateve nga kryetari Basha.

Ndërsa selia blu tashmë vizitohet dendur nga bashkëpunëtorët e Bashës dhe aleatët e vjetër dhe të rinj, ende nuk ka sinjale që në seli të rikthenen ish drejtues dhe deputetë të saj.