Astrit Patozi ka reaguar mbrëmë në darkë pas përfundimit të votimit dhe nisjes së numërimit të kutive të votimit për kreun e PD-së, ende pa u shpallur fitorja për një mandat të dytë për Lulzim Bashën.

Nisur nga pjesëmarrja e votuesve, ku kanë votuar rreth 20 mijë demokratë më shumë se 4 vjet më parë, Patozi del në një konkluzion: Sa më e thellë humbja, aq më e madhe dashuria për udhëheqësin e lavdishëm të partisë dhe popullit, duke e krahasuar dhe me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Ai i kujton vitet e diktaturës 70-80 në Shqipëri, ku më pas shkruan: Të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi më pas, Lulzim…

Statusi i plotë:

URIME LULZIM!

Urime Lulzim! Nuk na ke zhgënjyer kurrë. Farsa jote realisht po kapërcen çdo imagjinatë. Unë e parandjeva dhe e paralajmërova në drekë, por të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar që do të mbërrinte deri këtu. Ndaj jam i gatshëm të kërkoj ndjesë për fantazinë e pamjaftueshme.

Sipas komisionit të Jeminit kanë votuar rreth 20 mijë demokratë më shumë se 4 vjet më parë.

Konkluzioni: Sa më e thellë humbja, aq më e madhe dashuria për udhëheqësin e lavdishëm të partisë dhe popullit. Sepse është rasti tipik kur dhimbja kthehet në forcë.

Por për shembullin e Koresë së Veriut nuk kam gabuar. Ky është modeli që sot po instalohet në Partinë Demokratike.

Ndërkaq, më kujtohen vitet 70-80 kur, sa më shumë varfëroheshin shqiptarët, aq më shumë shtoheshin sukseset e diktaturës. Por të gjithë e mbajnë mend se çfarë ndodhi më pas, Lulzim…