Partia Demokratike thotë se 7 vjet pasi kryeministri Edi Rama erdhi në pushtet, shqiptarët jetojnë më keq, ndërsa ai jeton në luks, madje është pajisur edhe me avion privat.

Në një deklaratë nga selia blu, Dorjan Teliti tha se dështimi i qeverisë me ekonominë është spektakolar. Sipas tij, janë 260 milionë euro që i mungojnë arkës së shtetit për vitin 2019.

“Me 260 milionë dollarë që i mungojnë arkës së shtetit për vitin 2019, kryeministri i votave të vjedhura është rekordmen i korrupsionit dhe paaftësisë. Të kërkosh nga njëra anë ndihmë financiare nga donatorët ndërkombëtarë për demet e tërmetit dhe, nga ana tjetër, t’i shkaktosh vendit një tërmet korrupsioni me 260 milionë dollarë të munguar në buxhet, do të thotë tallje me shqiptarët dhe me vendet mike”.

Nga 260 milionë dollarë, 190 milionë mungojnë vetëm nga doganat dhe tatimet, tha Teliti. Edhe situata e korrupsionit, kontrabandës dhe varfërisë është alarmante sipas PD-së. Sipas selisë blu, Rama është dështim katastrofik edhe me treguesin kryesor të ekonomisë, TVSH-në.

“Paratë nuk vijnë në arkën e shtetit dhe pasojat janë të qarta. Nuk ka rritje pagash dhe pensionesh, shtresat në nevojë vazhdojnë të jenë të braktisura, investime ka gjithmonë e më pak. Investimet 2019 ishin edhe më keq se viti paraardhës. Janë 34 milionë dollarë më pak investime në rrugë, në shkolla, në spitale, në bujqësi”.

Sipas Telitit, shqiptarët meritojnë të kenë një jetë më të mirë, të sigurojnë mirëqenie dhe siguri për fëmijët. Këtë sipas tij do ta mundësojë shumë shpejt do ta mundësojë ndryshimi që ka nevojë vendi.