Partia Demokratike Dega Durrës, ka nisur organizimin për protestën e 16 shkurtit. Kryetari i PD-së, Ferdinad Xhaferraj, i shoqëruar nga eksponent të njohur të kesaj force politike, zhvilloi dje një takim me banorët dhe simpatizantët e demokratëve në zonën e ish-Kënetës.

Xhaferraj u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve durrsak të ngrihen dhe t’i bashkohen opozitës në protestat që do të zhvillohen për të rrëzuar qeverinë Rama.

Kreu demokrat tha se, populli duhet të bashkohet për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar dhe që nuk mendon për qytetarët por vetëm për xhepat e tyre. Xhaferraj komentoi edhe shkarkimin e drejtorëve lokalë, duke theksuar se tashmë radhën e ka Ardian Çela i OSHEE-së dhe kreu i bashkisë, Vangjush Dako.

Kryetari demokrat i Durrësit, u kërkoi qytetarëve të besojnë tek opozita. Duke bërë një krahasim të qeverisë Berisha me atë Rama, Xhaferraj tha se ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve.

“Në kohën e PD-së, arsimtarëve dhe pensionistëve iu rritej pensioni dhe rroga gradualisht, ndërsa pesë vite me Ramën asnjë ndryshim në xhepat e shqiptarëve madje duke i varfëruar edhe më shumë”,-theksoi Xhaferraj.