Nënkryetari i PD-së në Vlorë, Lorenc Danaj përmes një deklarate në portën lindore të Portit të Vlorës, shprehet se zhvendosja e Portit Detar Vlorë pranë Portit të Peshkimit (Triport), do të shënojë shkatërrimin dhe falimentimin e plotë të industrisë së peshkimit, një industri tradicionale dhe jetike për qytetin e Vlorës.

“Transferimi dhe pretendimi për ngritjen e një objekti të ri, jo vetëm që pezullon dhe bllokon për një kohë të gjatë aktivitetin e industrisë së peshkimit, por krijon premisat e një manovre nënshtrimi ndaj oligarkut të radhës.

Përveç zhvlerësimit të investimeve, vendimi i KKT u fal klientëve të qeverisë investimin e rëndësishëm të Bashkimit Europian për “Rik. e Kalatave dhe ndërtimin e Bankinës së Re në Port”, një investim me një vlerë rreth 15 milion euro.

Rruga lidhëse e Portit Vlorë me rrugën Transballkanike me vlerë kontrate mbi 1.2 milion euro, që prish dhjetëra banesa familjare, i shërben këtij koncensioni dhe jo më Portit të Vlorës. Kjo rrugë lidhëse nuk do të na çojë më në port, por në kullat shumëkatëshe që do të ndërtohen në këtë zonë.

Kjo qeveri shpërdoron në mënyrë të përsëritur paratë e taksapaguesve shqiptarë për të ndërmarrë projekte pa asnjë plan të mirëfilltë dhe rentabilitet ekonomik.

Ky vendim nuk është thjesht keqmenaxhim ose mungesë plani: është Ndoshta rasti më flagrant i injorimit të interesit publik, lokal e kombëtar.

Kjo sjellje dhe Ky urdhër autoritarist, ka injoruar krejt funksionet dhe përfaqësimin kushtetues të pushtetit vendor dhe komunitetit qytetar në Vlorë.

Partia Demokratike, i bën thirrje Edi Ramës, të zbatojë ligjet në fuqi, e të anulloj vendimin që zhvlerëson investimet e përmendura më sipër me pasoja të rënda ekonomike për qytetarët, peshkatarët dhe bizneset e Vlorës”, thuhet në deklaratë.

Partia Demokratike e Vlorës po ashtu i bën thirrje Prokurorisë, të nisë sa më shpejt një hetim mbi rastin me qëllim dërgimin përpara drejtësisë të gjithë personave, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë shkelur ligjin.