Krahas shtimit të rradhëve me anëtarë të rinj, Forumi Rinor i Partisë Demokratike Durrës është duke i kushtuar vëmendje edhe trajnimit të tyre, për të qenë gati për sfidat që ka përpara partia më e madhe opozitare.

Pasditen e së mërkurës, në selinë e degës lokale do të zhvillohet trajnimi “Arti i të folurit në publik”, që ka për qëllim të përmirësojë aftësitë komunikative të të rinjve në përballjet e ardhshme në publik, në takimet me qytetarë apo bashkëmoshatarë të tyre, në debatet e diskutimet që mund të krijohen gjatë aktivizimit të tyre në strukturat e PD-së etj.

Artjon Bajramaj, kreu i FRPD Durrës thotë për DurrësLajm se ky trajnim pason atë të 3 javëve më parë, “Si të ndërtojmë një argument”, i cili kishte si lektorë kreun e degës Ferdinand Xhaferaj dhe Redi Myshketën. Këtë herë, rolin e trajnuesit do ta bëjnë ish-deputeti Oerd Bylykbashi dhe Blerina Reçi.

“Sfidat e politikës shqiptare janë të shumëllojshme,– thotë Bajramaj,- dhe të rinjtë, qoftë ata që tashmë janë pjesë e strukturave të PD-së, qoftë ata që nuk janë angazhuar ende politikisht, mund të marrin pjesë në trajnimin që do të mbahet në orën 18.00”.

Ndërthurja e qasjes akademike me anën praktike të politikës, sjellja e shembujve nga ana e politikanëve me përvojë, të cilët do të ndajnë eksperiencat e tyre me të rinjtë e Durrësit është ajo çfarë synon të përcjellë trajnimi i ditës së mërkurë.

Rreth dy javë më parë, kreu i PD-së Lulzim Basha u bëri thirrje të gjitha strukturave të bëheshin gati për zgjedhje, sepse ato mund të zhvillohen në çdo kohë. Gjatë muajve kur opozita e bashkuar organizoi 10 protesta kombëtare, të rinjtë e FRPD Durrës ishin të pranishëm në secilën prej tyre, madje ata organizuan disa protesta të vogla edhe në Durrës, si ajo para AKU-së, para bashkisë së qytetit etj.

Bajramaj nënvizon se të rinjtë janë një aset i çmuar për PD-në dhe për këtë arsye, trajnimit, sjelljes dhe përballjes së tyre të ardhshme në terren dhe takime elektorale po u jepet rëndësia e duhur.

Lideri Basha ka vënë në dukje disa herë se afrimi pranë PD-së i elementëve të rinj, të larguarve apo të hatërmbeturve duhet të jetë ndër prioritetet e degëve të partisë më të madhe opozitare në vend.

M.B.