Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka denoncuar këtë të enjte kryetaren e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli se ka shkelur masat antiCovid për të marrë pjesë në një takim partie.

Spahia shkruan në një postim në Facebook se Rakacolli ka qenë e shoqëruar në atë takim bashkë me deputeten Elona Gjebrea, ndaj sipas tij, minimalisht ajo duhej të ishte shkarkuar nga detyra.

POSTIMI I PLOTË

PARA PARTISË NUK VENË ASGJË!

Shkelin edhe rregullat që vetë predikojnë! Kjo është kryetarja e komitetit të ekspertëve, Mira Rakacolli në rresh të parë në një takim partie, bashkë me Elona Gjebrean, duke shkelur masat anti Covid që ka urdhëruar vetë! Pasi kuptuan se i nxorën bojën vetes, Gjebrea fshin foton! Pra ky është “reflektimi”, FSHEHJA, sic bëjnë për gjithçka.

E turpshme sesi qytetarët i mbysin në gjoba, opozitën e godasin, ndërsa vetë injorojnë ligjin! Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama! Ky është modeli i tij! Për vete kulaçin, për qytetarët kërbaçin!

Minimalisht Mira Rakacolli sot duhej të ishte shkarkuar nga detyra! Eshtë e pafalshme që kryetarja e komitetit të ekspertëve për pandeminë Covid-19, të shkelë e para rregullat, për hir të partisë! Nëse një qytetar që shkel rregullat anti Covid gjobitet! Kur i shkelin këta, fshehin faktet duke fshirë fotot!

Ky model i pështirë nuk duhet duruar më! Më 25 Prill shqiptarët do zgjedhin qeverinë që u shërben, e jo atë që i gjobit ndërsa vetë është mbi ligjin! #25Prill#MePD