Pas përfundimit të takimit me Komisionin e Venecias për çështjen e pronave, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi treguan në një deklaratë për shtyp, temat e trajtuara gjatë bashkëbisedimit në fjalë.

Sipas Tabakut, ligji antikushtetues i kthimit të pronave si dhe një grup tjetër ligjesh bien ndesh me të drejtën e pronarëve, ku prona publike dhe ajo private mbeten në duart e Ramës dhe është ky i fundit ai që i shpërndan sipas interesave vetjake.

“Qeveria që nga 2013-a e këtej po shkel të drejtat e pronarëve dhe po harton ligje me norma të paprecedenta. Shqetësimi ynë mbetet e drejta për të respektuar pronarin, diskutuam mundësi se si mund të zgjidhet”, u shpreh ajo.

Ndërsa Oerd Bylykbashi u shpreh:

“Qeveria nuk kthen më prona nuk kompenson, ka rishpronësuar pronarët, ajo që ne bëmë të qartë është që ky proces vë në pikëpyetje titujt e pronarëve dhe ka për qëllim të marrë prona dhe këto prona t’u jepen oligarkëve. Fikja dhe eliminimi i gjykatës kushtetuese është i qëllimshëm, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në gjykatë. Ajo që bëmë të qartë është që PD të kthehet në pushtet dhe ne të kthejmë të drejtat e pronarëve.”